07/06/2026
GAZ-69, i prodhuar në Bashkimin Sovjetik – Model UAZ-69, viti 1960
GAZ-69 është një automjet me sistem tërheqjeje 4x4, i prodhuar fillimisht nga GAZ (Gorkovsky Avtomobilnyi Zavod – Fabrika e Automjeteve Gorky) gjatë viteve 1953–1956. Më pas, prodhimi i tij vijoi nga fabrika UAZ (Ulyanovsky Avtomobilnyi Zavod) në periudhën 1956–1972.
Gjatë këtyre dy dekadave, u prodhuan mbi 600,000 njësi të modelit GAZ-69 dhe GAZ-69A, të cilat u eksportuan në 56 vende të botës. Në vitin 1957, dokumentacioni teknik për prodhimin e tij iu transferua kompanisë rumune ARO, ndërsa në vitin 1962 patenta për prodhim iu dha edhe Koresë së Veriut.
Në Shqipëri, GAZ-69 u përdor gjerësisht nga drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe më pas edhe nga drejtues të ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore. Në popull, ky automjet njihet me emrin “GAZ i Degës”, duke iu referuar përdorimit të tij nga strukturat e sigurimit të shtetit.
Automjeti GAZ-69 i vitit 1960, që ndodhet sot në koleksionin e Muzeut Ron, është pjesë e kontingjentit të parë të këtyre mjeteve që erdhën në Shqipëri.